Sot, më 22 tetor do të nisë edicioni i shtatë me radhë i Festivalit shumetnik ‘Mirëdita, Dobar dan’, i cili do të mbahet në Beograd deri më 24 tetor, 2020.
Znj. Kulmita Kajtazi nga Organizata ‘Integra’, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se këtë vit festivali do të jetë më i shkurtë se edicionet e kaluara, për shkak të situatës së krijuar me ‘CoViD-19’, megjithatë, gjatë ditëve të festivalit, audienca e Beogradit do të prezantohet me artistë dhe performues që përfaqësojnë skenën kulturore moderne të Kosovës: “Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve, të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës, të bashkoj komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë si dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.”
Ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara edhe këtë herë qytetarët e Beogradit do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës, përmes një sërë prodhimesh artistike, si shfaqje, filma e ekspozita.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit është falas, mirëpo me regjistrim paraprak. Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), Iniciativa Qytetare (Serbi) dhe forumZFD, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.