Të gjithë i festojmë dhe jemi të familjarizuar me festën e nënës, festën e babait, të motrave e vëllezërve, por sa kemi njohuri rreth ‘Ditës Botërore të Familjes’?! Është pikërisht data e sotme (15 maji), e cila shënon këtë ditë, për të festuar dhe vlerësuar të gjithë anëtarët e familjeve tona, si mënyrë e shkëlqyeshme për të manifestuar dashurinë, kujdesin dhe përkushtimin që duhet ta kemi ndaj njëri tjetrit.
Të çmuar e konsideron familjen edhe znj. Nazlije Murtezi, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, shpalosi opinionin e saj në lidhje me këtë ditë: “Mund të kemi shokë, shoqe, kolegë, të afërm, por familja për mua mbetet trungu më i rëndësishëm, pa të cilën nuk do ta kishte kuptimin që ka ajo në jetën tonë. Prandaj, porosisë të gjithë, që të vlerësojnë familjet e tyre dhe të dhurojnë sa më shumë dashuri e respekt.”
Theksojmë se përmes shënimit të kësaj dite, tentohet të rritet ndërgjegjësimi për çështjet që lidhen me familjet në të gjithë globin, duke i kushtuar vëmendje faktit që familjet janë njësia themelore e një shoqërie.