Për të kremtuar të mirat që sjell biodiveristeti dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e tij, data e sotme 22 maji, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Biologjik”, e njohur edhe si “Dita Botërore e Diversitetit”.
Mësimdhënësja e lëndës së biologjisë në SHMU “Elena Gjika” në Prishtinë, Sekine Sanaja, për Radio KFOR-in ka shpalosur diçka nga historiku i shënimit të kësaj dite dhe ka treguar rëndësinë e saj: “Në dhjetor të vitit 2000, Ansableja e KB, miratoi 22 majin, si “Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit” dhe secilin vit caktohet një temë e cila synon të nxisë njohuritë dhe të përhapë vetëdijen për varësinë e sistemeve ushqimore, ushqimin dhe shëndetin e tyre në biodiversitet dhe ekosistemet shëndetësore. Qëllimi dhe rëndësia e kësaj dite është që të rritet ndërgjegjësimi dhe mirëkuptimi për ekosistemin që na rrethon (bimët, kafshët dhe mikroorganizmat). Diversiteti biologjik është thelbësor për shëndetin dhe mirëqenien njerëzore. Unë u bëj thirrje edhe institucioneve gjegjëse por edhe qytetarëve që të ndërmarrin veprime urgjente për të mbrojtur dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme, rrjetin e brishtë dhe jetësor të jetës në planetin tonë – Tokë.”
Biodiversiteti përfaqëson llojllojshmërinë dhe ndryshueshmërinë e jetës në Tokë, bashkëjetesën e specieve të ndryshme, në një ekosistem.