Për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë COVID19, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se sot (23 mars), fillon procesi i mësimit në distancë (mësimi online).
Mesazhi i ministres, Hykmete Bajrami, për fillimin e mësimit në distancë, përmes një video, thotë:
“Të dashur nxënës, prindër e mësimdhënës, pandemia na ka larguar nga shkolla, por asesi nga mësimi. Si ministre e Arsimit kam ndërmarrë të gjitha masat që të zhvillojmë mësimin në distancë. Një grup i mësueseve me mbështetje të profesionistëve, në baza vullnetare, po bëjnë një punë intensive që ky projekt të realizohet. Mësimi në distancë do të fillojë nga data 23 mars dhe do të transmetohet në kanalet televizive RTK 1 dhe RTK 4 si dhe të gjitha këto materiale do të jenë të disponueshme për ju në një një faqe të internetit, të dizajnuar enkas për këtë”.
Platforma e mësimit në distancë (online), do të jetë në dispozicion për të gjithë nxënësit e institucioneve publike dhe atyre private, pa dallim dhe të gjitha materialet e publikuara mund të gjenden edhe online në: emesimi.rks-gov.net