Nën organizimin e Qendrës Multimedia, sot (27 tetor), fillon edicioni i tretë i “Kosovo Theater Showcase 2020”, i cili do të vazhdojë të mbahet deri me datën 31 tetor, në teatrot e Prishtinës, Ferizajt dhe të Gjilanit. Në lidhje me këtë ngjarje shumetnike kulturore, Radio KFOR-i kontaktoi Aurela Kadriun, nga Qendra Multimedia, e cila tha se përgjatë këtij edicioni do të mbahen shfaqje, diskutime, muzikë e shumëçka tjetër: “Këtë vit kemi dy shfaqje mysafire, njëra prej tyre është shfaqja “Balava” nga Serbia dhe “Natën, Ma” nga Shqipëria. Gjatë këtij edicioni përveç shfaqjeve kemi edhe ngjarje të ndryshme, ku më 28 tetor, në Teatrin “Oda” në Prishtinë, kemi diskutimin mes dy aktoreve prominente nga Serbia, Jasna Gjuriçiq (Jasna Đuričić) dhe Mirjana Karanoviq (Mirjana Karanović), ku do të ketë përkthim në gjuhën shqipe dhe angleze, pastaj ka shfaqje të Qendrës Multimedia dhe shfaqje të tjera. Të gjitha shfaqjet dhe aktivitetet tona do të jenë të hapura për publikun, por normalisht duke respektuar rregullat e vëna për mbrojtje nga CoViD-19.”
Për të mësuar më shumë për secilën shfaqje, për kohën dhe vendin, të interesuarit mund të klikojnë në këta adresë elektronike: http://qendra.org/wp-content/uploads/2020/10/SHOWCASE_2020_poster-program3.pdf