Nga data e sotme (12 tetor), deri më 16 tetor 2020, do të mbahet ‘Forumi për Politika Bujqësore.
Ndryshe nga vitet e shkuara kjo ngjarje do të mbahet online, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia e shkaktuar nga ‘CoViD-19’.
‘Forumi për Politika Bujqësore’ organizohet nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore, ndërsa sivjet vjen në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës.
Ndër të tjera, disa nga temat që do të trajtohen në “Forumin për Politika Bujqësore 2020” janë:
– Bashkëpunimi rajonal në kohë pandemie: mësimet e marra
– Ndikimi i ‘COVID-19’, në bujqësi dhe zonat rurale në Ballkanin Perëndimor
– Zhvillimet e fundit të politikës bujqësore në kontekstin e procesit të përafrimit me BE-në
– Roli i turizmit rural në diversifikimin e aktiviteteve ekonomike dhe implikimet e tij në kohë pandemie
– Kapacitetet e kërkimit, inovacionit dhe të teknologjisë në Ballkanin Perëndimor në shërbim të agrokulturës.
-Qasja “LEADER” në Ballkanin Perëndimor