Nga sot, 18 maj 2020, do të fillojë faza e dytë e lehtësimit të masave dhe kthimit në normalitet, pas masave kufizuese që ishin ndërmarrë që nga muaji mars, për shkak të pandemisë globale ‘CoViD – 19’.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se disa nga veprimtaritë dhe bizneset që do ta nisin punën nga sot, do të jenë floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia (merre me vete), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta), qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial) si dhe do bëhet hapja e galerive dhe muzeve. Ende nuk është specifikuar se në çfarë orari do të punojnë këto veprimtari ose çfarë udhëzimesh duhet të ndjekin për parandalimin e përhapjes së ‘CoViD-19’.
Mirëpo bëhet e ditur se që nga sot, qytetarëve do t’ju lejohet dalja nga dy herë në ditë, nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit. Specialisti i Infektologjisë nga Klinika Infektive në QKUK, Valbon Krasniqi, në një publikim në rrjetin social ‘Facebook’, ka shkruar se faza e dytë e zbutjes së masave ‘anti-Covid’, është rezultat i punës së përbashkët me qytetarët, të cilët kanë treguar disiplinë: “Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit, s’ka vend për dëshpërim e zhgënjim. Asnjë pandemi nuk përfundon në mënyrë të përnjëhershme. Situata është e menaxhueshne. Jemi në rrugë të drejtë. Mbani maskat, dezinfektoni duart rregullisht, vazhdoni të mbani distancën fizike dhe suksesi është i garantuar.”
Edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shfrytëzuar ‘Facebook-un’, për të ndarë me qytetarë rregullat që duhet të ndiqen gjatë shfrytëzimit të transportit urban në këtë komunë. “Numri maksimal i udhëtarëve për autobus është 20 persona, nuk lejohet me hy në autobus pa maska, udhëtarët duhet ta kenë vërtetimin që janë në punë nga organizata apo kompania që janë të lejuara ose të jenë në orarin e tyre të daljes, pasi do të ketë kontrolle të policisë”, ka shkruar më tej Z. Ahmeti.