Data e sotme 21 dhjetor, shënon fillimin e dimrit astronomik, ndërsa dita e parë meteorologjike është 1 dhjetori.
Se cilat janë dallimet e motit krahasuar me vitin e shkuar (2019), Radio KFOR-i ka intervistuar Koordinatorin dhe Parashikuesin e Motit ne Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, z. Besim Aliu, i cili tregoi se viti 2020 ka pasur temperatura paksa më të larta se viti paraprak: “Vitin e kaluar(2019) temperatura për Rrafshin e Kosovës, minimalja ka qenë minus 12 gradë, përderisa maksimalja gjatë gjithë vitit, në Prishtinë ka qenë 37.1 gradë. Në Ferizaj 34 gradë, kurse në Gjakovë është shënuar temperatura më e lartë me 37 gradë. Situata meteorologjike mbetet e pandryshuar si pasojë e masave të ajrit me presion të lartë atmosferik. Jemi diku 12 milibar mbi vlerat e normales së presionit atmosferik. Kjo shtypje e lartë shkakton edhe inversion sepse temperaturat për momentin janë 2-3 gradë Celsius, për shkak të mjegullës dhe lagështisë relative të lartë dhe presionit, e të gjitha këto lidhen edhe me fenomenin e ndotjes së ajrit.”
Z. Aliu gjithashtu tregoi se reshje të borës me intensitet të ulët, pritet të kemi në mes të datave 26 dhe 27 dhjetor, ndërsa tutje na presin reshje të intensitetit mesatar, përderisa viset malore do të karakterizohen me reshje bore të intensitetit më të lartë.