Ka qenë vitit 2015 kur u vendos që 1 tetori të shënohet si “Dita Ndërkombëtare e Kafesë”. Kjo ditë ka për qëllim promovimin e mallit të dytë më të tregtuar në botë – kafesë. Një konsumuese e përditshme e kafesë është edhe Elena Gjevukaj, e cila për Radio KFOR-in tregon se dita e saj çdo herë nisë me kafe: “Për mua kafeja, është kuptimi i një mëngjesi të bukur. Ndihem shumë keq në ditët kur jam vonë dhe nuk kam kohë të përgatis e ta shijoj kafenë në shtëpi, mirëpo edhe në këso raste përkujdesem që në mundësinë e parë të blejë një kafe dhe të ndihem që me të vërtetë jam zgjuar nga gjumi. Përndryshe mendoj që kafeja është zgjidhje ideale për rastet kur duhet të mësosh vonë, të jep energji dhe ta largon gjumin.”
Ndryshe për kafen, mendon Alket Zeqiri, i cili për Radio KFOR-in tregon që nuk është aspak adhurues i kafesë: “Edhe pse aroma e kafes së pjekur më pëlqen, nuk jam aspak adhurues i pirjes së saj. Nuk e konsumoj thuajse asnjëherë, aq më pak ta nisi ditën çdo mëngjes me kafe, apo me konsumu çdo ditë makiato, siç bëjnë shumë njerëz. Preferoj me u kthjell në mëngjes me lëngje të frutave dhe “legjenda” që thotë se “pa një kafe në mëngjes nuk kthjellem”, tek unë nuk vlen. E di që kafeja ka elemente pozitive nëse konsumohet me masë, por përgjithësisht nuk është shumë e shëndetshme, andaj nuk e rekomandoj.”
Ndryshe njerëzit e kanë pirë kafenë që nga shekulli i 9-të. Veç tjerash kafeja numëron edhe shumë kuriozitete dhe të mira shëndetësore si:
– Kafeja është malli i dytë më i tregtuar në botë
– Evropa konsumon më shumë kafe sesa Amerika
– Kokrrat e kafesë vijnë në tre ngjyra: të kuqe, të verdhë ose jeshile, përpara se të piqen
– Brazili është prodhuesi më i madh i kafesë në botë, i ndjekur nga Vietnami
– Të pish tre ose katër filxhanë kafe në ditë ndihmon në zgjatjen e jetës, zvogëlon sëmundjet e zemrës, ndihmon diabetikët e tipit 2 dhe ata me sëmundjen e Parkinson-it.