Çdo vit me datën 9 maj, shënohet ‘Dita e Evropës’, datë kjo e cila shënon përvjetorin e ‘Deklaratës Schuman’. Kjo ditë u inicua me një fjalim në Paris, në vitin 1950, ku ministri i jashtëm francez Robert Schuman, tregoi idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë. Vizioni i Schuman-it ishte edhe inicimi i krijimit të një institucioni evropian, që do të bashkonte dhe menaxhonte prodhimin e thëngjillit dhe çelikut. Një traktat që krijoi një trup të tillë u nënshkrua vetëm një vit më vonë, në vitin 1951. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë edhe fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian. Në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë, kjo ditë shënohet me aktivitete të shumta. “Shtëpia e Evropës” e cila u hap ditë më parë, në Prishtinë, duke filluar nga kjo javë do të mirëpres të interesuarit për bursa, praktikë dhe informacione të tjera.
Sot (09.05.19) nga ora 11:00 deri në orën 13:00, në qendër të Prishtinës, përballë “Shtëpisë së Evropës”, do të mirëpriten fëmijët për të qenë pjesë e punëtorisë së pikturës dhe punëtorisë së krijimit të artit. DJ Yll Megi /Përzgjedhja e muzikës evropiane si dhe performanca e studentëve të Akademisë së Muzikës në Prishtinë, do të jenë pjesë e muzikës dhe argëtimit për të shënuar ‘Ditën e Evropës’.