“Vetëm të bashkuar mund ta shpëtojmë planetin”, me këtë moto bëhet thirrje për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim global për të zvogëluar rreziqet që ndodhin nga fatkeqësitë natyrore dhe ato që shkaktohen nga faktori njeri. ‘Dita Ndërkombëtare për zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë’, shënohet çdo vit me 13 tetor dhe për herë të parë u shënua në vitin 1989, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të promovuar një kulturë globale të ndërgjegjësimit ndaj rrezikut dhe zvogëlimit të fatkeqësive. Me rastin e kësaj ditë, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Zv. Udhëheqësin e Divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie publike dhe ndërkombëtare në Agjencinë për Menaxhimin Emergjent (AME), Nehat Koçinaj, i cili foli rreth misionit të kësaj Agjensie dhe aktiviteteve që do të shënojnë këtë ditë: “Misioni i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) është mbështetja e qytetarëve dhe reaguesve të parë për të siguruar që të punojmë si një trup, me qëllim të zhvillimit, mbajtjes dhe avancimit të kapaciteteve për tu përgatitur, mbrojtur-reaguar dhe rimëkëmbur nga të gjitha rreziqet e mundshme, qofshin ato natyrore apo të shkaktuara nga faktori njeri. Për nder të kësaj ditë, AME në bashkëpunim me programin IPA FF, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë, planifikoi të organizon garën për nxënësit e shkollave fillore të mesme e ultë, nga klasa: 4 deri 8, të cilat do të jenë pjesëmarrëse me punime për zvogëlimin e rrezikut nga zjarret në pyje dhe sipërfaqe të hapura.”
Z. Koçinaj, më tej shtoi se qëllimi i Agjencisë së tyre, është të kontribuojë në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, integrimin e zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe tekniko-teknologjike në politikat zhvillimore si dhe ngritjen e kapaciteteve humane dhe teknike për përballje me fatkeqësitë.