112 është numri emergjent në të cilin mund të raportojnë të gjitha urgjencat e tyre, qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Data e sotme, 11 shkurt, shënon ‘Ditën Europiane të Numrit Emergjent 112’ dhe pikërisht në këtë ditë theksohet nevoja për ngritjen e vetëdijes tek të gjithë për rëndësinë e qasjes në këtë numër. Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatorin e Qendrës Operative Emergjente 112 në Prishtinë, Mahir Hasanin, i cili u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë emergjencat e tyre në këtë numër: “Qytetarët janë të lirë të thërrasin numrin 112, i cili është pa pagesë dhe i cili funksionon 24/7, në të cilin iu lajmërohen operatorët kujdestarë që janë në detyrë dhe u ndihmojnë për kërkesat e tyre të cilat u drejtojnë krahas shërbimeve tjera, siç është shërbimi i zjarrfikësve, shërbimi i urgjencës, shërbimi policor dhe shërbime tjera komunale apo publike.”
‘Dita Europiane e Numrit Emergjent 112’ shënohet në tërë Europën që nga viti 2009 me aktivitete të ndryshme për promovimin e tij.
Raportohet se më pak së gjysma e qytetarëve të Europës kanë njohuri për numrin emergjent 112, andaj kjo ditë është e rëndësishme për të informuar qytetarët se në çfarë rastesh ata mund të thërrasin 112-shin dhe të udhëzohen përmes këtij numri se çfarë duhet të bëjnë në një rast emergjent.