Sot (17 maj) shënohet ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë’, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për shkeljen e të drejtave të komuniteteteve LGBTE dhe me qëllim që të nxis interesimin për të drejtat e LGBTE-së në të gjithë botën. Kjo datë u zgjodh për të përkujtuar vendimin për heqjen e homoseksualitetit nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), qysh në vitin 1990.
Ashtu si në vendet e tjera të botës edhe në Kosovë, kjo ditë shënohet nga organizatat që mbrojnë të drejtat e personave LGBTI. Këtë vit, organizatat LGBTI, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD, organizojnë një konferencë, e cila mbahet në Hotel Sirius, nga ora 9:30. Aktiviteti tjetër i organizuar nga ”Sbunker”, me temën “Të drejtat e transgjinorëve në një vend në tranzicion”, organizohet në ora 19:00, në Dit’ e Nat’.
Qëllimi kryesor i mobilizimit të 17 Majit, është ngritja e vetëdijes për dhunën, diskriminimin dhe shtypjen e komuniteteve të LGBTE në mbarë botën, e cila siguron një mundësi për të ndërmarrë veprime dhe për t’u angazhuar në dialog me mediat, politikëbërësit, opinionin publik dhe shoqërinë civile.