Të gjithë jemi dëshmitarë të ekzistimit të rrjeteve të krimit të organizuar në gjithë globin, të cilët mirren me trafikim me njerëz, dukuri kjo prezente gjithandej nëpër botë.
Për të luftuar këtë fenomen, Organizata ndërkombëtare për migrim (IOM), shënon sot (30 korrik), ‘Ditën Botërore për Luftë Kundër Trafikimit me Njerëz’.
Kjo ditë ka për qëllim vëmendjen e shtuar ndaj vuajtjeve të numrit të madh të viktimave të trafikimit me njerëz, të cilët përballen me eksploatim seksual, punë të detyrueshme, robëri dhe tregti me organe.
Pothuajse çdo shtet në botë është nën ndikimin e praktikës së kësaj dukurie, qoftë si vend i origjinës, tranzit ose vend i destinacionit të viktimave.
Sipas përfaqësuesve të IOM-it, nga viktimat e mbijetuara të trafikimit me njerëz 74 % janë trafikuar me qëllim të punës së detyrueshme, ndërsa 17 % me qëllim të eksploatimit seksual. Rreth 13 % nga numri i përgjithshëm i viktimave të mbështetur të trafikimit me njerëz janë fëmijë, mosha mesatare e të cilëve është 11 vjet.
Organizata IOM njofton gjithashtu se viktimat e mbijetuara janë kryesisht gra, të cilat jo vetëm që përballen me keqpërdorim seksual, por gjithashtu ishin viktima të martesave të detyrueshme dhe persona që përballen me vështirësi serioze ekonomike.
‘Plani Global i Veprimit për Luftimin e Trafikimit me Njerëz’, u miratua në vitin 2010 dhe u kërkon qeverive në mbarë botën të marrin masa të koordinuara dhe të qëndrueshme për të mposhtur trafikimin e qenieve njerëzore në të gjitha format e tij. Plani i OKB-së bën thirrje gjithashtu për integrimin e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore në programet më të gjera të OKB-së për të nxitur zhvillimin dhe për të forcuar sigurinë në mbarë botën.