Mësimi është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës tonë. ‘Dita Botërore e Studentëve’ shënohet me datën 15 tetor, për të përkujtuar përvjetorin e ditëlindjes së shkencëtarëve të mëdhenj indianë dhe ish-presidentit të Indisë, Dr. Abdul Kalam, i cili njihet si admirues i edukimit dhe studentëve të tij, të cilët i inkurajonte vazhdimisht të mësonin shumë. Për shkak të dashurisë së tij ndaj edukimit dhe përpjekjeve për promovimin e edukimit ‘Kombet e Bashkuara’, shpallën në ditëlindjen e tij (15 tetorin) si ‘Ditën Botërore të Studentëve’, në vitin 2010.
‘Dita Botërore e Studentëve’ është një festë e multikulturalizmit, diversitetit dhe bashkëpunimit midis studentëve në të gjithë globin.
Në Kosovë sipas të dhënave nga ‘Agjensia e Statistikave të Kosovës’, për vitin 2017/2018 ‘numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 110 137, prej tyre në universitetet publike ishin 70 313 studentë, ose 63.9%, ndërsa në kolegjet private numri i studentëve ishte 39 824 ose 36.1% studentë’.
Studentja në vitin e fundit në departamentin e Gazetarisë në ‘Universitetin e Prishtinës’ Vjosa Çerkini, për Radio KFOR-in tregoi për eksperiencën e saj si studente:
“Të jesh studente është privilegj i madh por edhe përgjegjësi dhe rrugë e gjatë në përmbushjen e qëllimeve tua. Gjatë studimeve të duhet vullnet, dashuri për fushën të cilën studion dhe përkushtim maksimal. Po ashtu, duhet edhe ndihmë financiare dhe përkrahje nga familja”, tha Vjosa.
Për fund ajo kishte një mesazh për të gjithë studentët në Kosovë që ta duan mësimin dhe asnjëherë të mos dorëzohen në përmbushjen e synimeve të tyre në jetë dhe në profesionin që ata zgjedhin.