Si shumë data të shënuara dhe të mandatuara nga rezoluta të Kombeve të Bashkuara edhe data e sotme 5 dhjetor, shënohet zyrtarisht në gjithë botën për të nderuar dhe falënderuar vullnetarët për kontributin e tyre të çmuar dhe solidarizimit me rastet që kanë nevojë për ndihmë.
Vullnetarizmi përbën një nga aktet më njerëzore dhe bujare që njerëzit pa përfitime bëjnë çdo ditë për persona në nevojë, komunitetin e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi. Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i ka kontaktuar organizatën humanitare ‘Kryqi i Kuq i Kosovës’, që në vazhdimësi ndihmojnë komunitetin e tyre me aktivitete dhe ndihma të shumta.
Zyrtari për komunikim në Kryqin e Kuq të Kosovës, Armend Shala, për Radio KFOR-in tregoi për rëndësinë e kësaj dite dhe ndihmës që po bëjnë ata në këtë kohë pandemie: “Rëndësia e ‘Ditës së Vullnetarizmit’, është e madhe edhe në botë por edhe në Kosovë. Kryqi i Kuq i Kosovës, punën kryesore e bën përmes vullnetarëve dhe aktiviteteve vullnetare. Këtë vit për shkak të pandemisë si organizatë jemi fokusuar për të ndihmuar personat në nevojë, të cilët kanë qenë të prekur nga COVID-19, ku kemi pasur vullnetarë në 26 degë të Kryqit të Kuq në gjithë Kosovën dhe në nivel vendi kemi pasur rreth 300 vullnetarë në teren.”
Zotëri Shala, potencoi se në vitet e fundit kanë pasur ndihmë të madhe nga vullnetarët, kryesisht të rinjtë të cilët duan të ndihmojnë në çfarëdo forme, sidomos gjatë pandemisë dhe porositi të gjithë njerëzit vullnet mirë që të ndihmojnë në çfarëdo forme, kur të kenë mundësi duke falënderuar të gjithë vullnetarët në Kosovë.