Zakonisht kur sëmuremi apo kur kemi ndonjë vështirësi të caktuara jetësore, kemi nevojë për përkujdesje të shtuar nga të afërmit tanë dhe posaçërisht gjatë kësaj periudhe të vështirë, si pasojë e virusit Covid-19, janë me fat ata që kanë afërm që u qëndrojnë pranë, për ta kaluar këtë virus sa më lehtë. Ajo që i ka qëndruar afër gjatë gjithë kohës babait të saj, Drejtorit të Filarmonisë së Kosovës, z. Baki Jashari, më herët i infektuar me virusin Covid-19, është sopranoja e njohur Arta Jashari, e cila për Radio KFOR-in tregoi se si e kaluan familja këtë periudhë: “Duhet pasur parasysh se secili pacient ndryshon prej tjetrit, andaj duhet patjetër të konsultoheni me mjekët në institucionet përkatëse shëndetësore. Gjatë gjithë kohës, babit i kam ofruar ushqim me sa më shumë vitamina dhe i kam përcjellë parametrat, duke balancuar ato me barna shtesë, kam pastruar ambientin gjatë gjithë kohës me alkool dhe i kam folur me optimizëm, i kam ofruar komoditet psikik dhe emocional.”
Znj. Arta kujton po ashtu sfidën me të cilën është përballur gjatë asaj kohe, duke e rrezikuar edhe shëndetin e saj, për të qenë gjithmonë aty për babin e saj dhe po ashtu përmes Radio KFOR-it, u bënë thirrje të gjithëve për kujdes maksimal ndaj atyre në nevojë, në këtë situatë të rënduar pandemie: “Uroj që të gjithë të kalojnë këtë sfidë me optimizëm dhe të kenë kujdes në ambiente të hapura e të mbyllura, gjithmonë me distancë, maska apo doreza. Shpresoj për vetëdijesim dhe solidaritet mes njerëzve të përçarë ndërmjet vete, duke krijuar një stres dhe dilemë në raport me ekzistencën apo jo të virusit. Ji i përgjegjshëm, mbaj distancë – kaq mjafton.”
Gjatë kësaj situate komplekse, përveç përkujdesjes adekuate, kujdes të veçantë duhet t’i kushtojmë ruajtjes së shëndetit tonë mendor.