Nga sot, 2 mars, e deri më 6 mars 2020, ‘Prishtina Jazz Week’ do t’i hapë dyert për 5 netë, me jazz artistë nga e gjithë bota. Ky do të jetë edicioni i tretë i këtij Festivali, i cili do të vazhdojë traditën e organizimit të koncerteve të zhanrit jazz në Kino ‘Armata’ me artistë të njohur të jazz-it nga bota dhe vendi, me punëtori muzikore në ‘Dit’ e Nat’ ku do të kenë qasje të gjithë ata që duan të marrin mësime nga jazz maestrot mysafirë dhe me ‘jam sessions’ në Zanzi Jazz Bar.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin artistik të ‘Prishtina Jazz Week’, Nasim Maxhunin, i cili tha: “Në secilin edicion kemi sjell risi. Këtë vit kemi arritur që të sjellim performanca pesë net, pesë koncerte, kemi arrit me ba punëtori gati çdo ditë, workshop-a me instrumentistë ndërkombëtar edhe vendor. Sa i përket programit të Festivalit, pa modesti mund të them se ai mund të krahasohet me festivale ndërkombëtare, sepse kemi disa prej muzikantëve më të mirë. Interesimi për të marrë pjesë është shumë i madh. Tashmë janë shitur shumica e biletave për sonte dhe për nesër. Biletat kanë qenë 5 euro, kanë qenë mjaft të lira në krahasim me kualitetin e muzicientëve. Pasi s’kemi pasur shumë përkrahje, është dashur të bëjmë koncertet me bileta. Ky Festival nuk është profitabil për mua, por qëllimi im është që të rritet skena e muzikës, jo me u fundos. Meqë nuk është profitabil si Festival, unë ju kisha ba thirrje atyre që janë të interesuar që të ofrohen edhe si vullnetarë dhe të bëjnë diçka për fëmijët e tyre në të ardhmen.”
‘Prishtina Jazz Week’ e cila do të mbahet në Kino “Armata” në Prishtinë, do të fillojë me jazz vokalisten, Nikoletta Szőke Quartet dhe Kristóf Bacsó nga Hungaria, për ta vazhduar natën e dytë me jazz vokalisten, kompozitoren dhe aranzhuesen e jashtëzakonshme, Elif Çağlar dhe bendin e saj nga Turqia, për të vazhduar më 4 mars me Marcos Varela Trio dhe më 5 mars me Broken Circles ft. Joel Ross, dy jazz formacione të njohura nga SHBA. Festivali do të përmbyllet nga performanca e ‘Prishtina Big Band’, ansambël i sapoformuar i 17 artistëve vendorë, të udhëhequr nga Armend Xhaferi.