Komedia e njohur “Shfaqja që shkon keq”, do të paraqes sonte entuziazmin dhe peripecitë e disa aktorëve amatorë në përpjekjen e tyre për të krijuar një shfaqje teatrale.
Shfaqja përcillet tërë kohën me shumë skena komike por edhe tragjike, derisa aktorët tentojnë të zgjidhin një vrasje enigmatike, me përplot dyshime e dështime dhe ankth e siklet.
“Shfaqja që shkon keq” me regji të Ilir Bokshit, luhet sonte më 9 maj, prej orës 21:00, ndërsa aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Safete Mustafa, Gani Rrahmani, Alban Shahiqi, Avni Shkodra dhe Tringa A. Hasani. Kjo dramë është shkruar nga tre shokë adhurues të aktrimit, Henry Shields, Jonathan Sayer dhe Henry Lewis dhe për herë të parë është shfaqur në teatrin “The Old Red Lion” të Londrës, në vitin 2012.
Që nga ajo kohë, kjo komedi ka pasur paraqitje të shumta nëpër teatro të mëdha botërore dhe vlen të përmendim se kjo komedi ka fituar çmimin “Best New Comedy”, në vitin 2015 në “Laurence Olivier Awards”.