Në kuadër të programit “Film Screening & Talk” të Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” sot (9 shtator) do të shfaqen dy filma të regjisores Lendita Zeqiraj.
Në Project Space do të shfaqet dokumentari “We’re Not in Paradise” si dhe filmi i shkurtër “Gardhi”. Programi i filmave do të përcillet me një bisedë me regjisoren.
Dokumentari “We’re Not in Paradise” është realizuar në vitin 2011, ndërsa është i gjatë 29 minuta. Aty bëhet fjalë për ‘identitetin e mjegulluar dhe harruar, në kulturën prevalente franceze e cila absorbon trashëgiminë e tyre të Afrikës Veriore, të rritur në djerrinën prej betoni në periferinë e varfër të Francës, të lënduar nga refuzimi si mënyrë e vetme për të shprehur zemërimin dhe dhimbjen për ta bëhet muzika rap’.
Ndërsa “Gardhi” është filmi i fundit i artistes, i cili ende nuk është shfaqur në Kosovë. Ky film zgjat 15 minuta.
“Përkundër këmbënguljes së Gentit për t’u dëgjuar, nëna e tij nuk i kushton vëmendjen. I zënë midis dëshirës së tij për të adoptuar një qenush, padituria e nënës së tij dhe një diskutim i pakëndshëm familjar Genti hidhet mbi gardh duke zgjedhur rrugën e tij duke u bërë bashkë me një djalë rom, Xenin, për ta gjetur këlyshin e tij”, është ky përshkrimi që autorja ia bën këtij filmi.
Lendita Zeqiraj është filmbërëse dhe artiste vizuale e cila karrierën e saj e ka zhvilluar mes Kosovës dhe Francës. Ajo është skenariste dhe regjisore e disa filmave të cilët janë shfaqur në festivale ndërkombëtare, e po ashtu edhe janë shpërblyer me çmime.
Programi i Project Space mbështetet nga Swiss Cooperation Office në Kosovë.