Të dielën, më 9 shkurt, në Dolby Theatre të Los Angeles, do të mbahet edicioni i 92-të me radhë, i ndarjes së çmimeve OSCAR 2020. Nominimet për kategori të ndryshme për ceremoninë e Academy Awards që u bën publike më 19 janar, shfaqën garën e fuqishme mes filmave për këtë vit. “Joker”, “Once Upon a Time in Hollywood”, “The Irishman”, “1917”, “Parasite” e “Marriage Story” janë filmat me më së shumti nominime këtë vit, andaj gara kryesore pritet të jetë mes tyre. Radio KFOR-i ka kontaktuar një nga administratorët e grupit “Maniakë t’filmit”, në rrjetin social “Facebook”, Kushtrim Krasniqi, i cili ka treguar parashikimin e tij për ceremoninë e së dielës: “Sa e kom pa unë prej debateve, por edhe prej shijes time personale, gara më e fuqishme është mes filmit “1917” dhe “Parasite”. Preferenca ime personale prapë do të ishte “Parasite” për shumë arsye, por mendoj që “1917” ka me marrë çmimin e parë. Ndërsa, çmimin e aktorit më të mirë mendoj se do ta fitojë aktori, Joaquin Phoenix, me rolin e tij në filmin “Joker”, ndërsa për aktoren më të mirë, s’po di, ndoshta aktorja, Scarlett Johansson. Pa dyshim që edhe “Marriage Story”, “Joker”, “Once Upon a Time in Hollywood”, “The Irishman” kanë qenë filma shumë të mirë.”
Se cili film mendoni se do të fitojë çmimin OSCAR për vitin 2020, ju mund të na tregoni duke u inkuadruar në emisionin e mbrëmjes MENY në Radio KFOR, duke filluar nga ora 19:00 deri në orën 22:00, duke na dërguar porosi në 049 950 950 apo ju mund të shkarkoni në telefonat tuaj të mençur edhe aplikacionin e Radio KFOR-it për iOS dhe Android.