Për më shumë se një dekadë UNDP-ja në Kosovë përkrah gazetarinë e vendit tonë në luftën kundër korrupsionit. Ky program i Kombeve te Bashkuara këtë vit shënon edhe vitin e 15-të në të cilin jep “Çmimin për gazetarinë më të mirë kundër-korrupsion”.
Storiet e gazetarëve që janë kandidatë për të fituar këtë çmim u vlersuan në bazë të ndikimit shoqëror, rezultateve të arritura dhe për cilësinë e standardet gazetareske.
Nga të gjitha storiet që janë dorëzuar për vlerësim, tre janë zgjedhur si finaliste, këtu përfshihen storiet kundër-korrupsion të Ardiana Thaci Mehmeti, Kreshnik Gashi dhe Besnik Krasniqi nga të cilët do të zgjedhet një fitues në mbrëmjen e sotme me fillim nga ora 18:00. Arsyeja se përse është zgjedhur kjo datë, na ka treguar këshilltarja e projektit në përpjektet kundër-korrupsion, Rrezarta Reka:
“Sot shënohet globalisht Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe UNDP qëllimisht e ndan këtë çmim në po këtë ditë me 9 dhjetor, për shkak të simbolikës dhe për shkak që në UNDP konsiderohet që gazetarët janë pjesë shumë e rëndësishme në shoqëri për zbulimin e korrupsionit.”
Korrupsioni është problem global që dëmton ekonominë në veqanti por edhe imazhin e çdo vendi, shifrat monetare të nxjerra nga korrupsioni arrijnë rreth 3% të GDP-së botërore.