Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), sonte (18.12.19) do të organizoj ceremoninë e ndarjes së ‘Çmimeve FIDES 2019’, për të nderuar kontributin filantropik të individëve, organizatave dhe bizneseve në Kosovë dhe Diasporë. Ceremonia në fjalë do të mbahet në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë. Për të njëmbëdhjetin vit me rradhë, me ‘Çmimin FIDES’, pritet të shpërblehen kompanitë, organizatat dhe individë nga Kosova dhe Diaspora të cilët në mënyrë sistematike dhe me ndjeshmëri ndaj ambientit, kulturës dhe vlerave tradicionale, kanë mbështetur aktivitete dhe projekte të interesit të përbashkët.
Kjo ceremoni pritet të filloj në orën 18:00, ndërsa kategoritë për çmimet kryesore ‘FIDES 2019’, që do të ndahen për këtë vit janë:
– Çmimi FIDES për kontribut në nivel kombëtar “Hasan Prishtina”– I cili i ndahet kompanisë, individit apo OSHC-së që ka ndërmarrë aktivitete filantropike në nivel kombëtar.
– Çmimi FIDES për kontribut individual – I cili i ndahet individit që ka ndërmarrë aktivitete filantropike.
– Çmimi FIDES për kontribut nga Diaspora – I cili i ndahet individit apo kompanisë nga Diaspora që ka ndërmarrë aktivitete filantropike në Kosovë.