Këtë javë po e kalojmë gjysmën e parë të muajit dhjetor dhe po iu afrohemi festave të fundvitit, të cilat për shumë njerëz, këtë vit do të jenë shumë më ndryshe se herëve tjera, për shkak të pandemisë së koronavirusit. E gjithë bota po vazhdon të përballet me rritje të numrit të të prekurve nga ‘CoViD-19’, andaj në shumë vende tanimë janë marrë masa të izolimit, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë.
Edhe në Kosovë, po vazhdojnë të jenë në fuqi masat anti-covid. Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik A. Hoti, për Radio KFOR-in ka thënë se situata konsiderohet serioze, për faktin se ende ka numër relativisht të lartë të mostrave që testohen që dalin pozitive në SARS-COV-2 (COVID-19) dhe rrjedhimisht edhe numër të lartë të pacientëve të spitalizuar për trajtim në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme: “Pjesa e dytë e nëntorit dhe pjesa e deritanishme e dhjetorit kanë rezultuar me një kurbë të infeksioneve që është e sheshtë, që do të thotë se nuk ka pasur rritje të rasteve, por as rënie të theksuar, kështu që duhet vazhduar me masat në fuqi, duke rritur disiplinën në zbatimin e tyre dhe nivelin e monitorimit dhe inspektimeve.”
Të dhënat e fundit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë tregojnë se numri i rasteve aktive me CoViD-19 në Kosovë është 11.782 raste, me 1.198 raste të vdekjeve dhe 33.600 raste të të shëruarve.
“Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!” – thuhet në apelin e IKSHPK-së.