Gjersa ‘CoViD -19’ po përhapet me shpejtësi, në të gjithë botën ka pasur një rënie dramatike të dhurimit të gjakut edhe pse Qendrat e Dhurimit të Gjakut janë të trajnuara posaçërisht në parandalimin e infeksionit, duke ndërmarr hapa të sigurt për personelin shëndetësor si dhe dhuruesit e gjakut.
Se si qëndron situata tek ne? – lidhur me këtë shqetësim, Radio KFOR-i kontaktoi drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), Dr. Sci. Bukurije Zhubi: “Të dhënat aktuale nga komuniteti shkencor nuk kanë evidentuar mundësinë e transmetimit të SARS-COV-2, nga dhuruesi tek pacienti. Përkundër kësaj, sikurse të gjitha qendrat e gjakut nëpër botë edhe QKKTGJ-ja, përdorë metoda të shqyrtimit të dhuruesve për gjendjen aktuale dhe të kaluarën, në mënyrë që vetëm dhuruesit e shëndetshëm të dhurojnë gjak. Pavarësisht nga fakti që pandemia ‘CoViD -19’ ka prishur normalitetin në çdo aspekt, dhuruesit vullnetarë i kanë qëndruar besnikë misionit të tyre fisnik, për të dhuruar gjak edhe gjatë pandemisë.”
Çdo dy sekonda, një pacient ka nevojë për transfuzion të gjakut, prandaj bëhuni hero i dikujt që ka nevojë për ju!