Shpesh ndodhemi në një situatë kur vikendeve qëndrojmë në shtëpi duke shikuar filma, seriale apo sport, mirëpo ndonjëherë kemi nevojë që të dalim edhe në ambiente të hapura, por hezitojmë sepse jemi në kohë pandemie dhe duam që të jemi të sigurt nga virusi kovid.
Se si të kalojmë një vikend të sigurt nga CoViD-19?! – Radio KFOR-i, ka kontaktuar drejtorin e Qendrës Sportive për fëmijë “Lazdrohu”, z. Rinor Zuka, i cili është edhe adhurues i hajkingut: “Gjithmonë gjatë vikendeve gjejmë kohën dhe mënyrën që të kalojmë kohën në natyrë, duke shijuar dhe eksploruar vendet e bukura të Kosovës. Vendet malore janë mënyrë shumë e mirë për të kaluar kohën gjatë pandemisë, ku ne nuk jemi të ekspozuar ndaj grupeve të mëdha të njerëzve dhe jemi në një ambient të hapur si dhe mund ti shijojmë bukuritë natyrore të gjithën për vete! Pas disa kilometra ecje që ne bëjmë në natyrë duke eksploruar, gjithashtu gjejmë vendin e bukur se ku ne do kalojmë natën me tenda dhe bëjmë kamping. Ne kalojmë shumë netë në qiell të hapur dhe e quajmë “Five billions stars hotel” (Hotel me pesë miliardë yje).”
Z. Rinori, gjithashtu këshilloi që ta duam dhe ta ruajmë natyrën, e gjithashtu të kalojmë sa ma shumë kohë në male, bjeshkë apo në natyrë, vende këto të cilat në Kosovë, janë të shumta.