Javë e mbushur me të reja teknologjike ka qenë edhe kjo që sapo e kemi lënë pas. Samsung u bë pjesë e mediave teknologjike këtë javë, pasi pritet të na befasojë me telefonin e ri, që do të sjell në treg. Pajisja ‘Galay Fold 3’, pritet t’u ofrojë adhuruesve të telefonit “Note”, një alternativë të shkëlqyeshme, me pajisjen që do të ketë ekran të madh sa “dy telefona” të tillë, e me çmim që konsiderohet i volitshëm në raport me pajisjet tjera.
Kur jemi tek gjigandi Samsung, duhet patjetër me e përmend që ‘Galaxy S21 Ultra’, gjatë Kongresit Mobil Botëror, u shpall telefoni i mençur më i mirë në botë.
Nga vitit 2020 pritet të hyjë në fuqi vendimi i cili parasheh që veturat e reja në Bashkimin Evropian, të kenë kufizues të shpejtësisë. Ka qenë viti 2019, atëherë kur midis Komisionit Evropian dhe institucioneve të BE- së, është nënshkruar marrëveshja e cila pritet të ndryshojë botën e makinave dhe transportit rrugor në përgjithësi.
Me ligje interesante na ka befasuar edhe Norvegjia e cila ka miratuar ligjin që ndalon modifikimin e trupin në fotografi. Ligji i ri bën që krijuesit e përmbajtjes të zbulojnë kur ata kanë edituar ose shtuar një filtër në një foto dhe kjo vjen si përpjekje për të ngritur vetëdijen në shoqëri për imazhin e trupit. Çdo foto ku forma, madhësia ose lëkura e trupit është ndryshuar nga editimi ose manipulime të tjera, duhet të shënohet si e modifikuar, thotë ligji.
Nga bota e robotikës, veçojmë gjigandin Amazon, i cili ka paralajmëruar se ka në plan të zhvillojë teknologji të re për shpërndarjen e produkteve në Finlandë. Shpërndarja synohet të bëhet përmes një roboti automatik. Kur jemi tek robotët, inxhinierët në SHBA kanë publikuar së fundmi pamjet e trajnimit të robotëve për misione jashtë planetit. Mjeti i tyre kryesor i quajtur “Spot”, po integrohet me inteligjencë artificiale për misione të mundshme në mars dhe më saktësisht në eksplorimin e shpellave atje.