Muzika shqipe në zi, u shua sot (07.02.2020) ikona e muzikës, Nexhmije Pagarusha, në moshën 86 vjeçare. “Bilbili i Kosovës” u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë dhe tërë jetën e saj ia dedikoi këngës, skenës dhe artit në përgjithësi. Filloi këndimin në moshë të hershme por epitetin e këngëtares e mori në vitin 1948 kur u njoh si këngëtare e Radio Prishtinës.
Më shumë se 40 vite performoi pa ndërprerë në shumë skena të njohura e në shumë raste edhe në kushte jo të mira për një artiste si ajo, por Pagarusha nuk e ndali këngën asnjëherë.
Kënga më e veçantë e saj mbetet “Baresha”, por në bazë të njohësve të muzikës ajo performoi më shumë se 150 këngë si: “Ani mori nuse”, “Metelikun ta kam fal”, “Mora testin”, “Zambaku i bardhë” e shumë krijime të tjera të cilat i kompozoi bashkëshorti i saj, kompozitori Rexho Mulliqi.
Ishtë zëri i saj që i bëri për vete të gjithë ata që e dëgjuan kur këndonte, por famën e saj e arriti edhe në fushën e aktrimit. Nexhmije Pagarusha u paraqit edhe në projekte filmike si: “Tre veta kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin” dhe “Fluturimi i Micakut”.
Fizikisht nuk gjendet më në mesin tonë, mirëpo këngët dhe trashëgimia e saj do të jetojnë përgjithmonë. Familjarë të saj kanë treguar se këngëtarja ka kërkuar që kur të vdes, të varroset me ceremoni private, pa përcjellje të mediave. Amaneti i legjendës së muzikës shqipe ka qenë edhe që të varroset në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë të Malishevës, ndërsa varrimi do të bëhet nesër (08.02.20).