Një grup i të rinjve dhe të rejave nga Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, sot (29 nëntor) do të organizojnë një forum rinor, ku do të diskutohet mbi parandalimin e abuzimit me substancat narkotike si dhe ndryshimet pozitive që rezultojnë nga fuqizimi i rinisë në këtë drejtim. Takimi në fjalë do të mbahet në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM).
Për të mësuar më shumë rreth këtij aktiviteti rinor, Radio KFOR-i kontaktoi me njërin nga vullnetarët e projektit “Shpërndani përqafime e jo drogë”, Edin Lahi, i cili na tregoi për mundësitë që i ofron: “Është një mundësi shumë e mirë, së pari për ta njoftuar njëri-tjetrin si dhe me u sensibilizu në lidhje me përdormin e drogave. Sot, unë i ftojë rininë që të vijnë në ora 16:00, në zyret e IBCM, ku do të shfaqet filmi dhe pastaj do të vazhdojmë edhe me diskutimet dhe aktivitete tjera”.
Përdorimi i substancave narkotike është një problem i shëndetit publik në nivel global, duke prekur veçanërisht të rinjtë. Ky problem jo vetëm që dëmton individët, por edhe familjet dhe shoqërinë.