Olt Kandirollu, Lisa Emini dhe Joana Jasiqi nga Klubi i Notit “Nemo” në Prishtinë janë shpallur notarët më të mirë të Kosovës për vitin që e lamë pas, 2019, nga Federata e Notit të Kosovës (FNK).
Në një deklaratë për media nga Klubi i Notit “Nemo” thuhet se Olt Kandirollu është mbajtës i pesë rekordeve të Kosovës, në aktivitetet pjesëmarrëse gjatë vitit 2019, organizuar nga Federata e Notit të Kosovës. Po ashtu, ai e ka përfaqësuar Kosovën edhe në gara në nivel ndërkombëtar, përfshirë “European Youth Summer Festival – Baku 2019”, “FINA World Junior Swimming Championships – Budapest 2019” si dhe “European Short Course Swimming Championships – Glasgow 2019”. Në anën tjetër, talentja Lisa Emini është shpallur më e mira për grupmoshat 2010 e më të reja. Nga gjashtë disiplina, sa ekzistojnë në FNK për grupmoshat e reja, Lisa vendosi 3 rekorde të notit në Kosovë në: 50m Krol, 100m Krol dhe 50m Shpinë. Mbajtëse e tri rekordeve të tjera në Federatën e Notit të Kosovës është edhe Joana Jasiqi, e cila është shpallur ‘Bretkocashja’ më e mirë në Kosovë për grupmoshat e reja në kategoritë: 50m Bretkocë, 100m Bretkocë dhe 50m Delfinë. Joana u shpall notarja e tretë më e mirë e Kosovës për grupmoshat 2010 e më të reja.
Klubi i Notit “Nemo” është një ndër klubet më të reja të Federatës së Notit të Kosovës, ndërsa, trajnerë të klubit janë: Daulina Osmani dhe Endrit Svecla , dy ish kampionë të Kosovës në not.