Në këtë kohë pandemie me të cilën po përballemi globalisht edhe qyteti i Prishtinës ka organizuar aktivitete të ndryshme për të mbajtur pozitivitetin dhe kreativitetin e qytetarëve. ‘Komuna e Prishtinës’ në bashkëpunim me librarinë ‘Dukagjini’ dhe organizatën ‘Etea’, kanë ftuar të gjithë personat e interesuar që të dërgojnë shkrime letrare, përjetime apo kujtime në formë të tregimeve dhe poezive dedikuar qytetit të Prishtinës.
Në një bisedë për Radio KFOR-in koordinatorja e librarisë ‘Dukagjini’, Iliriana Hasaj, tregoi më shumë për këtë projekt, duke thënë se kjo ngjarje do të ndihmojë qytetarët që të zhvillojnë aftësitë dhe kreativitetin e tyre: “Ky projekt ka lindur si një iniciativë që është pjesë e shumë aktiviteteve kulturore që Komuna e Prishtinës po organizon në këtë kohë pandemie, në mënyrë që këto ditë izolimi të kalohen më lehtë dhe me produktivitet. Po ashtu, talentëve dhe aftësive të qytetarëve të i’u japim një shtysë më të madhe. Prandaj, 3 persona që do të marrin më së shumti pëlqime për shkrimet e tyre në faqen ‘Rri nshpi me neve’ në ‘Facebook’, do të shpërblehen”.
Iliriana tregoi po ashtu se 40 shkrimet që do të përzgjedhen, ato do të publikohen dhe botohen në një libër pas kalimit të situatës se pandemisë.
Shkrimet duhet të përmbajnë jo më shumë se 2200 karaktere, të jenë poezi apo tregime dhe mund të shkruhen në dy dialektet e gjuhës shqipe. Shkrimet duhet të dërgohen në email adresën: ojq.etea@gmail.com , deri me 2 Maj, 2020.