Shkolla e Mesme Teknike në Vushtrri “Lutfi Musiqi” do të organizojë panairin “Ruaje natyrën, ndihmo njerëzit”, në të cilin do të prezantohen punime me materiale të recikluara, të punuara nga nxënësit e kësaj shkolle.
Panairi do të mbahet nesër (15 nëntor), nga ora 11:00, ndërsa do të zgjasë deri në orën 16:00.
Radio KFOR-i ka kontaktuar profesoreshën e kësaj shkolle, Hadie Meholli – Bajraktari, e cila ka treguar për qëllimin e organizimit të këtij Panairi:
“Punime janë të punuara nga nxënësit me materiale të ndryshme të reciklueshme, si plastika, letra, konserva apo edhe kapakë të shisheve. Të gjitha paratë e grumbulluara nga shitja e këtyre punimeve të nxënësve do të jepen për nxënësit e shkollës sonë që kanë nevojë. Përmes këtij Panairi, ne i vetëdijesojmë nxënësit që ta ruajnë natyrën, të realizojnë punime të vlefshme, por edhe t’i ndihmojnë të gjithë ata që kanë nevojë”, ka thënë ajo për Radio KFOR-in”.
Sot bota po përballet me problemin e madh të plehrave, prandaj organizimi i aktiviteteve të tilla kontribuon në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm.