“Dokufest”, për të dhjetin vit me radhë, ka hapur dyert për të gjithë të rinjtë që jetojnë në Kosovë dhe më gjerë, që të bëhen pjesë e projektit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar 2020’.
Lidhur me këtë mundësi, për Radio KFOR-in, flet drejtoresha ekzekutive e organizatës ‘Dokufest’, Linda Vulla Gashi:
“Po e ftojmë gjeneratën e 7-të të filmbërësve të rinj të cilët janë nxënës të shkollave të mesme. Kjo shkollë e ka marrë epitetin edhe si shkollë rajonale e filmit dokumentar, ku çdo vit realizojmë deri në 10 filma të shkurtër dokumentarë, me tema sociale apo për të drejtat e njeriut. Ne zakonisht i preferojmë temat që kanë të bëjnë me rininë, të drejtat e tyre apo për problemet dhe mangësisë e rinisë në vendin tonë”.
Vitin e kaluar, kanë qenë 200 aplikime ku ne mesin e tyre ka pasur shumë aplikime nga Serbia, të cilët krahas filmbërjes, kanë krijuar edhe miqësi të reja me të rinjtë kosovarë:
“Tash e 3 vite me radhë, shoqëria mes nxënësve kosovarë dhe serbë, të cilat janë njoftuar në “Dokufest”, vazhdon edhe sot. Ata janë në kontakte të vazhdueshme duke bërë edhe vizita në Beograd e në Prizren. Njëri nga qëllimet tona është edhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe përmes këtyre filmave ne flasim edhe për të drejtat e komuniteteve të ndryshme të cilët jetojnë në Kosovë, por edhe për ballafaqimin me të kaluarën”, kështu tha drejtoresha ekzekutive e organizatës ‘Dokufest’, Linda Vulla Gashi.
Prandaj, të gjithë ju që jeni në shkollë të mesme dhe e doni filmin klikoni KËTU, për të plotësuar formularin si dhe në formë të shkruar tregoni se pse e doni filmin dokumentar dhe cila është tema që do të dëshironit të trajtoni në ‘Shkollën e Filmit Dokumentar 2020’.