Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës mbrëmë (15.06) ka publikuar raportin ditor për të infektuarit me COVID-19, duke njoftuar se janë shënuar 129 raste pozitive në Kosovë, duke arritur kështu numrin rekord në muajt e fundit, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 963 raste.
Bazuar në këto të dhëna Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë, rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese, që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve. Ky institut ka apeluar qytetarët që të mbajnë distancën fizike për së paku 2 metra nga njëri-tjetri, të vendosin maskat dhe të lajnë duart me kujdes, disa herë në ditë nga 20-30 sekonda.
Të gjithë qytetarët luten të kenë kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes së virusit sidomos në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.