Në dekadën e fundit mbi 1.200 gazetarë në botë, janë vrarë gjatë punës së tyre dhe përtej sulmeve fatale, gazetarët pësojnë edhe shkelje të tjera të tilla si sulm fizik, rrëmbim, zhdukje, burgosje dhe tortura. Si rrjedhojë, Kombet e Bashkuara me një rezolutë të veçantë, çdo vit me 2 nëntor, shënojnë ‘Dita Ndërkombëtare Për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit për Krimet Kundër Gazetarëve’. Kjo rezolutë dënon të gjitha sulmet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, për të siguruar përgjegjshmëri, për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe të promovojnë një mjedis të sigurt për gazetarët për të kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është organizatë joqeveritare, që ka për mision promovimin, inkurajimin dhe përmirësimin e gazetarisë cilësore në Kosovë. Ky asociacion vazhdimisht ka raportuar mbi raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, ndërkaq për këtë ditë, gazetarja e Radio Kosovës, Bardha Shkreli, ka ndarë shqetësimin e saj për pozitën e gazetarëve në Kosovë: “Çdo vit, raportohen raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës së tyre dhe trajtimit të çështjeve të cilësuara me interes për publikun. Vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 26 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, megjithatë, kjo nuk do të thotë se puna e tyre është ndalur.”
Gazetaria ende mbetet një nga profesionet më të rëndësishme për shoqërinë, por me sfida të shumta e sidomos për gazetarët të cilët raportojnë nga vende të rrezikshme.