Dita Ndërkombëtare e Vetëdijesimit Gjinekologjik shënohet sot edhe në Kosovë, me një takim informues rreth edukimit gjinekologjik dhe shtatzënisë.
Ky takim organizohet nga “Vimea Baby Spa & Wellness”, ndërsa gjinekologu Memli Morina do të përgjigjet në të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe tërë procesin e shtatzënisë.
I kontaktuar nga Radio KFOR-i, gjinekologu Memli Morina ka thënë se përmes organizimeve të tilla, po përpiqen të krijojnë qasje më moderne në mes të mjekut dhe pacienteve.
“Po përpiqemi që të krijojmë një qasje më ndryshe moderne midis mjekut dhe një gruaje e cila jo domosdoshmërish ka një sëmundje apo problem shëndetësor, por e cila ka nevojë që të ketë informacione për shëndetin e saj. Gruaja, në cilëndo moshë qoftë ajo, ka preokupime dhe shqetësime lidhur me shëndetin e saj dhe në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që mjeku i saj t’i jep përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve të saj. Ne promovojmë një mënyrë moderne të raportit midis mjekut dhe gruas (por edhe partnerit të saj), ku në fokus është promovimi i shëndetit të përgjithshëm, me theks të veçantë në shëndetin reproduktiv. Ndonjëherë problemet gjatë shtatzënisë mund ta kenë fillin që nga adoleshenca, prandaj është shumë e rëndësishme që të adresohen problemet në cilëndo periudhë jetësore”, ka thënë Morina.
Tutje, ai kishte edhe një porosi për të gjitha dëgjueset e Radio KFOR-it:
“Vizita tek gjinekologu për shumë gra është shumë e sikletshme dhe kjo mund të jetë arsyeja se përse gratë hezitojnë të bëjnë konsultat rutinore gjinekologjike. Porosia ime është që ta shfrytëzojnë vizitën gjinekologjike për të marrë të gjitha përgjigjet në pyetjet që mund të kenë”.
Me shëndet nuk bëhet shaka, andaj të gjitha femrat duhet të bëjnë kontrolle të rregullta gjinekologjike.