Sporti është trajtues natyral për shumë probleme që mund t‘i ketë njeriu. Personat që merren me sport, bëjnë jetë më të shëndetshme dhe kanë prirje të jenë më të lumtur. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse shumica e prindërve udhëzojnë fëmijët qysh në vegjëli që sportin ta bëjnë pjesë të jetës, qoftë si pasion apo edhe si profesion.
FISU është Federata e parë e sporteve universitare e cila funksionon për 60 vite me radhë, duke përshirë 170 vende të botës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar (20 shtator) synohet forcimi i lidhjeve në mes të universiteteve dhe komunitetit, përmes sportit.
Në vendet e zhvilluara sportit i jepet rëndësi e jashtëzakonshme, universitetet më të famshme japin bursa për studentët e dalluar në sporte të veçanta, duke u dhënë atyre mundësi të ndjekin mësimet dhe njëkohësisht të zhvillojnë aktivitetet sportive.
Edhe pse në vendin tonë sportistët ende nuk e kanë një trajtim të tillë, ata kanë dalë të jenë mjaft të suksesshëm në arenën ndërkombëtare të sportit. Se si e arrijnë një gjë të tillë, për Radio KFOR-in tregon fituesi i disa çmimeve në fushën e gazetarisë së sportit, Moral Pozhegu:
“Sporti kosovar është përballur me vështirësi të mëdha. Vetëm para 30 vitesh në futboll nuk ka pasur fusha adekuate, futbollistët zhvillonin ndeshjet në terrene balte, zhvillimi i sporteve tjera bëhej në terrene të vështira prej çimentoje. Viteve të fundit kemi parë që mund të kemi sukses dhe kapacitet. Vendi ynë ka kampione olimpike, Majlinda Kelmendin, kemi edhe medalje botërore në karate e shumë suksese të tjera. Unë mendoj që duhet të punohet edhe më shumë me sportistë, duhet të punohet qysh në shkolla të mesme e pastaj edhe në universitete, sepse dihet që në Amerikë nga universitetet dalin lojtarë që luajnë edhe në NBA, prandaj nga shkolla duhet të niset gjithçka, aty është baza.”
Aktivitetet sportive ndihmojnë shëndetin e njeriut, ndihmojnë pranimin e humbjes, krijimin e shoqërisë si dhe suksesin e arritur ta ndajnë me të tjerët.