Data e sotme 13 Tetor, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Reduktimit të Katastrofave’. Kjo ditë shënon globalisht mënyrën se si njerëzit dhe komunitetet po reduktojnë ekspozimin e tyre ndaj katastrofave si dhe rrit vetëdijen për rëndësinë e zvogëlimit të rreziqeve me të cilat ballafaqohen.
Radio KFOR-i ka kontaktuar profesorin e Biologjisë dhe Mbrojtjes së Ambientit, Alban Hyseni, i cili thotë se njeriu çdo ditë e më shumë po vazhdon të degradojë mjedisin jetësor në të cilin ai jeton, gjë që më pas ndikon në shfaqjen e katastrofave ekologjike: “Njeriu sot paraqet specien, e cila gjithnjë e më shumë është duke ndikuar në degradimin e mjedisit jetësor, me shumë aktivitete të tij, siç janë: prerja e pyjeve, që ndikon direkt në erozionin e tokave, pastaj ngritja e gazeve serë në atmosferë që ndikon në ngritjen e temperaturës në nivel global apo efekti serë, ndotja nga plastika sidomos e ekosistemeve ujore dhe shumë e shumë aktivitete të tjera, të cilat janë kontribuuesit kryesor që ndikojnë direkt apo indirekt në shfaqjen e katastrofave ekologjike në mjedisin ku jetojmë.”
OKB ka hartuar një Strategji Ndërkombëtare për Reduktimin e Katastrofave, e cila ka për qëllim reduktimin e humbjeve njerëzore, sociale, ekonomike dhe mjedisore për shkak të rreziqeve natyrore, ndryshimeve klimatike, mjedisit dhe kushteve ekstreme të motit. Kjo ditë ka filluar të shënohet që nga viti 1989.