Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992, shpalli 3 dhjetorin “Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara”, me qëllim të promovimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe në mënyrë që edhe ata të përfshihen në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
Menaxher i Projekteve në HANDIKOS, Durim Gashi, për Radio KFOR-in tregoi se kjo ditë shënohet edhe në Kosovë: “Këtë vit, ne e kemi një kampanjë “Shkolla hapë dyert e botës”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes të politikë- bërësve për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në të gjitha shkollat. Sot do të realizojmë dy konferenca si dhe do të bëjmë lansimin e një instalacioni në sheshin e Prishtinës, i cili është në kuadër të kampanjës. Duke u zotuar për përkrahje, të ftuarit do të kenë mundësi të nënshkruajnë platformën, e cila do të jetë e vendosur në shesh për pesë ditë me radhë.”
Slogani i Kombeve të Bashkuara për vitin 2020 është: “Ndërtimi i Kthimit më të Mirë: drejt një bote gjithëpërfshirëse, të arritshme dhe të qëndrueshme pas COVID-19”, e cila nënvizon rëndësinë e nxitjes së një kulture gjithëpërfshirëse dhe përgjigjen ndaj nevojave urgjente të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e shoqërisë, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.