Jeta në Tokë nuk do të ishte e mundur pa rrezet e Diellit, por energjia që buron nga Dielli do të ishte e dëmshme për Tokën, po të mos ishte shtresa e ozonit, e cila mbron Tokën nga pjesa më e madhe e rrezatimit ultraviolet të dëmshme të Diellit.
Shkencëtarët që punuan në fund të viteve 1970, zbuluan se njerëzimi po krijonte një vrimë në këtë mburojë mbrojtëse, duke rrezikuar jetën në Tokë. Prandaj, në vitin 1985, qeveritë e anembanë botës miratuan “Konventën e Vjenës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit”. E për të shënuar këto arritje “Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Shtresës së Ozonit”, shënohet, çdo vit, më 16 shtator.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi kryetarin e organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo”, z. Milaim Rushiti, i cili tha se të gjithë ne mund dhe duhet të kontribuojmë në ruajtjen ozonit: “Secili njeri në botë është një superfuqi dhe secili duhet ta edukojmë vetën, që jo çdo gjë që është e djegshme duhet të digjet, si: goma, thëngjill etj. Pra, secili individ, në mundësitë e veta, mund të bëjë shumë për të ruajtur së pari pastërtinë e ajrit e rrjedhimisht edhe shtresën e ozonit.”
Slogani i sivjetmë për shënimin e kësaj dite botërore, është “Ozoni për jetën: 36 vjet mbrojtje të shtresës së ozonit” dhe na kujton se jo vetëm që ozoni është thelbësor për jetën në Tokë, por që ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë shtresën e ozonit për brezat e ardhshëm.