Familjet tradicionale si dhe ato jo tradicionale, janë themel i shoqërisë, e për t’i vënë në pah këto vlera Kombet e Bashkuara, në vitin 1994, datën ‘15 Maj’, e shpallën “Ditë Ndërkombëtare të Familjeve”. Për të rikujtuar rëndësinë e familjeve, njerëzve, shoqërive dhe kulturave në të gjithë botën, çdo vit vendoset një temë, në varësi të sfidave dhe zhvillimeve të reja. Tema e këtij viti është “Familjet dhe Aksioni i Klimës”.
Pikërisht për këtë ditë Radio KFOR-i kontaktoi disa dëgjues, për të dëgjuar se çfarë mendojnë ata për familjen:
– “Përshëndetje, unë jam Rinori. Më vjen mirë që shënohet sot “Dita e Familjes”, sepse familja është baza e shoqërisë. Të gjithë ne duhet të mundohemi të investojmë në familje, sepse atë që e mbjellim sot, do ta korrim nesër.”
– “Përshëndetje, quhem Vlora dhe mendoj se familja është gjëja më e rëndësishme në jetë. Pa familje nuk je askush dhe mendoj se është pikërisht familja ku ti formësohesh si njeri, me dashuri, respekt dhe përkrahje për tjetrin në nevojë.”
– “Unë jam Nardi, me ju tregu të drejtën, nuk e paskam ditur që shënohet ‘Dita e familjes’, po më vjen mirë që kjo datë qenka e shënuar në kalendar. Mendoj se familja është vendi ku ne duhet të mësohemi se si të bisedojmë, të mendojmë për të mirën e familjes si dhe të gjithë shoqërisë. Nuk ka thesar më të çmuar se familja.”
Shënimi i “Ditës Ndërkombëtare të Familjeve”, na rikujton të gjithëve se familja është vendi ku duhet të fillojmë të punojmë së bashku, për të krijuar një botë më të mirë për të gjithë!