“Dita kundër Obezitetit” është një kremtim ndërkombëtar i cili shënohet me datën 26 Nëntor, i vendosur nga një grup i organizatave të kujdesit shëndetësor, për të rritur ndërgjegjësimin për mbipeshën si një rrezik për shëndetin publik.
Për të ditur se cilat janë veprimet më të mira për të luftuar obezitetin, Radio KFOR-i kontaktoi dietologen, Vala Popovci, e cila theksoi: “Mënyra për të parandaluar obezitetin është menaxhimi i ushqimit të shëndetshëm, duke pasur parasysh edhe sasinë e porcioneve. Pastaj është aktiviteti fizik që e bëjmë gjatë ditës, të cilin duhet ta rrisim çdo ditë. Në mënyrë që të parandalohen sëmundjet që lidhen me obezitetin është shumë me rëndësi kualiteti i jetës, pra duhet të kemi shumë kujdes me kualitetin e jetës.”
Duke e ditur që obeziteti zvogëlon jetëgjatësinë dhe rrit gjasat e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe sëmundjeve të tjera, në shënimin e “Ditës kundër Obezitetit” ofrohen seanca të këshillimit masiv, kampe shëndetësore, shfaqje bisedash me ekspertë kryesorë të shëndetit dhe ngjarje edukative.