Metrologjia që ndryshe njihet edhe si shkenca e matjes, luan një rol qendror në zbulimin shkencor dhe inovacionit, prodhimin industrial dhe tregtinë ndërkombëtare, në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në mbrojtjen e mjedisit global si dhe në mbrojtjen e konsumatorit. Nga viti 1875, kjo ditë shënohet globalisht me datën e sotme, 20 maj.
Rreth rëndësisë së kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të ‘Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës’, Ferki Fejza, i cili shpjegoi: “Zanafilla e ditës së metrologjisë, fillon në vitin 1875, me themelimin e zyrës ndërkombëtare për pesha dhe matje. Rëndësia e ditës së metrologjisë është mbrojtja e konsumatorit dhe besueshmëria e transaksioneve ekonomike. Për shembull, kur paguajmë një litër karburant apo një kilovat energji elektrike ose një minutë bisedë telefonike dhe shumë të tjera, përcaktohen apo verifikohen nga metrologjia. Departamenti ligjor në Agjensinë e Metrologjisë së Kosovës, merret me kontrollin apo verifikimin e mjeteve matëse, ligjërisht të kontrolluara në rreth 24 fusha dhe në kuadër të agjencisë sonë kemi dy departamente dhe dy sektorë.”
Motoja e kësaj dite këtë vit, është ‘Matjet për shëndetin’, në mënyrë që të gjithë të bashkohemi për të mbrojtur konsumatorët dhe të krijohet besueshmëri më e lartë e transaksioneve ekonomike dhe qytetarët mund të ndihmojnë duke raportuar në pa rregullsi, që mund të hasin.