Roli i turizmit në krijimin e vendeve të punës shpesh nënvlerësohet edhe përkundër faktit që turizmi gjeneron 10% të vendeve të punës në botë. Politikat e reja janë të nevojshme për të maksimizuar potencialin e turizmit për të krijuar më shumë vende pune, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë, politikat e reja janë gjithashtu të nevojshme për të pasqyruar dhe përfshirë përparimet e vazhdueshme në teknologji, Pra, këto ishin disa nga pikat të cilat i ka listuar Organizata Botërore e Turizmit, me rastin e 27 shtatorit, datë kjo që i është ndarë ‘Ditës Botërore të Turizmit”.
Turizmi është duke u promovuar edhe në Kosovë. Një ndër organizatat joqeveritare e cila ka realizuar projekte për promovimin e turizmit është „Ec Ma Ndryshe“. Pikërisht për këtë ditë Radio KFOR-i kontaktoi koordinatorin e programeve të kësaj organizate, Valon Xhabali, për Radio KFOR-in tregoi:
“Ne si organizatë me aq sa kemi pas kapacitetet jemi munduar që të realizojmë projekte dhe aktivitete të ndryshme në Prizren ,por edhe në qytete të tjera të Kosovës. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Prizren, kemi implementuar një projekt i cili është financuar edhe nga UNDP. Kemi dëshiruar ta promovojmë jo vetëm Prizrenin si qytet, por gjithë rajonin e jugut. Kemi themeluar një zyrë turistike, e cila sot vazhdon të jetë funksionale në Prizren. Atë zyrë e kemi pajisur me harta të Prizrenit dhe rajonit, katalogje promovuese duke marr për model qytete të ndryshme evropiane të cilat njihen për turizëm. Kemi përgatitë edhe audio-guida në shtatë gjuhë, me qëllim që sa më shumë t’i ofrojmë turistëve që vijë të njoftohen me resurset kulturore, fetare shpirtërore dhe ato malore”.
Ndërsa, se cili duhet të jetë fokusi i promovimit të turizmit në Kosovë, Xhabali tha:
“Ne mendojmë që turizmin mund të bëjmë gjatë gjithë vitit. Për fat të mirë ne i kemi mundësitë edhe të veprojmë e të punojmë në aspektin e promvimit të turizmit rural edhe malor, sepse kemi bjeshkë, kemi male, kemi edhe fshatra nëpër rajone të ndryshme, të cilat mund të na ofrojnë shumë. Prandaj, ne duhet ta kombinojmë turizmin kulturor dhe atë rural”.
Sektori i turizmit botëror, punëson më shumë gra dhe të rinj sesa shumica e sektorëve të tjerë. Dihet që duke ofruar mundësi për gratë, të rinjtë dhe komunitetet rurale, turizmi kontribuon në fuqizimin e shoqërive të barabarta dhe gjithëpërfshirëse.