24 Marsi, shënon ‘Ditën Botërore të Tuberkulozit,’ me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të njerëzve për pasojat shëndetësore, sociale dhe ekonomike të kësaj sëmundje si dhe rritjen e përpjekjeve për t’i dhënë fund epidemisë botërore të tuberkulozit.
Kjo datë e sotme, lidhet me ditën kur, Dr. Robert Koch, në vitin 1882 shpalli zbulimin e bakterit që shkakton tuberkulozin, zbulim i cili i hapi rrugën diagnostikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje. Pavarësisht progresit që është bërë në dekadat e fundit, tuberkulozi vazhdon të jetë vrasësi infektiv më kryesor në të gjithë botën.
Këtë vit, slogani për Ditën Botërore të Tuberkulozit është emëruar “Tani është koha” dhe thekson rëndësinë e reagimit të menjëhershëm për të parandaluar sëmundjet e ndryshme infektive në botë.
Tuberkulozi është një sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme. Kjo sëmundje përhapet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet ajrit. Njerëzit e sëmurë me tuberkuloz në mushkëri, në momentin që kolliten apo teshtijnë, përhapin në ajër bakterin e TB-së. Një person mund të thithë disa nga këto baktere dhe të infektohet.