Një prej elementeve të domosdoshëm të jetesës në shekullin XXI, është padyshim televizori, nëpërmjet të të cilit shkojmë atje ku do të dëshironim të ishim, informohemi për atë që na intereson dhe në të njëjtën kohë argëtohemi.
Por, edhe pse kjo pajisje është bërë gjithmonë e më e nevojshme në ditët tona, ka nga ata njerëz që i rezistojnë, duke u përpjekur që të largojnë televizorin nga jeta e tyre, siç është rasti i një studenteje.
Megjithatë, sot kudo në botë shënohet Dita Botërore e Televizionit, e shpallur nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 21 nëntor të vitit 1996, për të përkujtuar ditën kur u mbajt për herë të parë Forumi Botëror i Televizioneve.
Ky vendim i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara erdhi duke kujtuar rezolutën e saj të 13 shkurtit të vitit 1946, në të cilën thuhet se, ndër të tjera, Kombet e Bashkuara nuk mund të arrijnë qëllimet e veta, përveç nëse popujt e botës janë të informuar plotësisht për qëllimet dhe aktivitetet e saj në mënyrë korrekte.
Se televizioni ka ndikim të madh në jetën dhe kulturën e njerëzve, e pohon edhe gazetari dhe moderatori i njohur, Resul Sinani, i cili një jetë të tërë ia ka dedikuar Televizionit dhe audiencës.
“Televizioni gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë impakt të madh në shoqëri, me gjithë uljet dhe ngritjet e tij. Edhe pse shumë menduan që mediat online dhe interneti do të ja zbehin rëndësinë që televizioni ka, është e kundërta, sepse Televizioni nuk e ka humbur shkëlqimin e tij dhe është duke i shfrytëzuar të gjitha kanalet tjera të transmetimit të përmbajtjes televizive që të shpërndahet edhe më shumë”, nënvizoi për Radio KFOR-in, z. Sinani.
Vlen theksuar se Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes kësaj resolute, i fton të gjithë që ta respektojnë këtë ditë, duke inkurajuar ata që të transmetojnë programe televizive që të shfrytëzohen për çështje të tilla, si paqe, siguri, ekonomi, zhvillim social dhe rritje të shkëmbimit kulturor.