Mosha e shtyrë apo plakja është një proces fiziologjik dhe natyror. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1990, vendosi që data 1 tetor, të shënohet si “Dita Botërore e të Moshuarve”. Çdo vit, tematika e kësaj dite ndryshon. Këtë vit është “Dekada e Plakjes së Shëndetshme”, e cila do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes deri në vitin 2030, duke u dhënë mundësi qeverive botërore, shoqërisë civile, profesionistëve, akademikëve dhe mediave për të punuar edhe më shumë në përmirësimin e jetës së njerëzve të moshuar.
Jetëgjatësia dhe përvoja e saj është mësimi më i mirë i jetës. Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i mori disa mesazhe nga të moshuarit, drejtuar të rinjve:
– “Përshëndetje, jam Xhyla Kastrati. Të rinjve ju them se nëse doni të bëni diçka ju duhet ta dëgjoni zemrën se ajo nuk gabon, të tregon të vërtetën. Nëse ajo thotë se e ke gabim mos shko tutje, por nëse ajo thotë se je në rrugë të duhur ti vetëm vazhdo!”
– “Jam Qazim Ymeri. Unë kam një porosi për të rinjtë. Ju them mësoni, respektoni më të vjetërit sepse edhe ju do të vini në këtë moshë dhe do ta shihni se sa e rëndësishme është të kesh respektin e duhur. Mos harroni, jeta shkon shpejt e ju duhet ta shfrytëzoni atë për të mirë.”
Shënimi i “Ditës Botërore për të Moshuarit” shërben për të shtuar edhe më tutje respektin dhe kujdesin ndaj të moshuarve, duke i falënderuar për kontributin e tyre të dhënë në familje dhe shoqëri.