Për të rritur ndërgjegjësimin global për të drejtat dhe nevojat e konsumatorit, sot (15.03.21), bota shënon ‘Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit’.
Përkitazi me këtë temë dhe për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka biseduar me ekspertin për kauzën për të drejtat, obligimet, interesat dhe dinjitetin e konsumatorit, me Kryetarin e OJQ-së “Konsumatori”, z. Selatin Kaçaniku, i cili në lidhje me këtë ditë, pohoi: “Ne jemi e vetmja organizatë në vend, e cila përpiqet që të kujdeset, avokojë dhe lobojë për të drejtat, obligimet dhe për interesat dhe dinjitetin e qytetarit dhe të familjeve konsumatore, në Kosovë. Ne po ashtu nuk bëjmë dallime as “selektime” dhe po ashtu kujdesemi për miqtë dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë.”
Kosova ka Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili rregullon mbrojtjen e së drejtës themelore të konsumatorëve pranë blerjes së prodhimeve dhe shërbimeve dhe po ashtu ka Shoqatën për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila i informon konsumatorët për të drejtat e tyre si dhe paraqet listën e tregtarëve të cilët gjatë viteve të shkuara kanë dëmtuar konsumatorët, ose qëllimisht kanë shitur mallra të rrezikshme për shëndet dhe siguri të konsumatorit.