Ndër vite, shërbimet postare kanë qenë mënyra e vetme për të komunikuar përtej kufijve, pavarësisht nga largësia gjeografike mes dy vendeve.
Edhe sot, shërbimet postare nuk njohin kufij, vetëm se për dallim nga e kaluara, kur janë dashur ditë e muaj të tërë për kryerjen e një shërbimi të tillë, në ditët e sotme porosia juaj shkon brenda ditës, qoftë edhe në fund të botës.
9 Tetori – Dita Botërore e Postës këtë vit shënohet edhe në Kosovë. Radio KFOR-i ka kontaktuar Arsim Mehmetin, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Postën e Kosovës, i cili ka përmendur disa nga aktivitetet e parapara të mbahen për shënimin e kësaj dite:
“Disa nga aktivitetet që i ka menduar menaxhmenti i Postës së Kosovës është ndarja e mirënjohjes për punëtorët e dalluar. Ka menduar që Posta e Kosovës të jep mirënjohje për një postier, më të mirin në nivel Kosove, një transportues të dërgesave dhe një punëtor të dalluar në Administratën e Postës së Kosovës”.
Në fund, ai dha një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it:
“I lusim qytetarët që të gjitha shërbimet e tyre të pagesave të ndryshme, të shërbimeve publike, të ujit, të rrymës, të tatimit mbi pronë, shërbimin e pagesave të studentëve e të tjera t’i kryejnë në Postën e Kosovës, sepse Posta e Kosovës është në interesin e tyre, është shërbimi më cilësor dhe më e lira në rajon”.
Dita Botërore e Postës shënohet që nga viti 1969, për nder të themelimit të Shërbimit Postar Universal në Bern të Zvicrës, në vitin 1874.