‘Ruajtja e shëndetit dhe e të drejtave të grave në të gjithë botën’ është tema e këtij viti që shënon ‘Ditën Botërore të Popullsisë’, e cila mbahet çdo vit më 11 korrik, që nga viti 1990, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi t’i jap rëndësi kësaj dite, duke synuar të përqendrojë vëmendjen në urgjencën dhe rëndësinë e çështjeve të popullsisë.
Sipas raporteve të publikuara, deri në mars të vitit 2020, në Tokë jetonin rreth 7.8 miliardë njerëz, dhe me pandeminë e vazhdueshme COVID-19, numri pritet të rritet për shkak të shtatzënive të paplanifikuara.
Siç parashikon OKB-ja, numri i njerëzve në botë deri në vitin 2050, pritet të shkojë në 9 miliardë, por krahas këtyre parashikimeve, askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës.
Sipas tyre, një gjë është e qartë, nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pamasë.
Pavarësisht kësaj, shumë qeveri të shteteve të ndryshme në botë pranojnë se shëndeti riprodhues dhe barazia gjinore janë thelbësore për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm në gjithë botën.